Hetimet për vrasjen e Viktor Bardhit kanë çuar policinë në pesë banesa në Lezhë. Kontrollet, të kryera me autorizim të gjykatës, janë përqendruar në pronat e anëtarëve të familjes Reçi, si edhe të personave që kanë lidhje familjare ose shoqërore me ta.

Gjatë operacionit, efektivët kanë kërkuar armë, sende dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e krimit.

Viktor Bardhi u ekzekutua teksa ndodhej në automjetin e tij. Sipas të dhënave të deritanishme, ndaj tij është qëlluar me një pistoletë të pajisur me silenciator, ndërsa personat e përfshirë në vrasje nuk janë identifikuar ende.

Hetuesit po verifikojnë provat e mbledhura dhe po analizojnë disa pista. Në fokus janë edhe konfliktet dhe përplasjet e mëparshme mes personave që mund të kenë lidhje me ngjarjen, për të përcaktuar nëse ato kanë shërbyer si motiv për ekzekutimin.