Një 39-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në një lokal në zonën e Orihuela Costa, në Spanjë. Autor i dyshuar i atentatit është një person, i cili pasi e qëlloi disa herë viktimën, u largua me monopatinë elektrike.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para orës 13:00, në kompleksin sportiv dhe argëtues Playa Flamenca Sport Club, në zonën Playa Flamenca, në rrugën Nicolas de Bussi.
Sipas mediave spanjolle, shqiptari ndodhej i ulur në tarracën e një lokali, kur një person iu afrua dhe hapi zjarr ndaj tij. 39-vjeçari mbeti i vdekur në vend, ndërsa autori u largua menjëherë nga ambientet e kompleksit duke përdorur një monopatinë elektrike.
Dëshmitarët njoftuan autoritetet, të cilat mbërritën në vendngjarje së bashku me ekipet e emergjencës. Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimit mjekësor SAMU, mjekët nuk mundën të shpëtonin jetën e shqiptarit dhe konstatuan vdekjen e tij.
Pas ngjarjes, Garda Civile spanjolle nisi hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit. Në vendin e krimit mbërritën edhe specialistë të policisë gjyqësore dhe laboratorit kriminalistik, të cilët kryen ekspertizën dhe grumbulluan provat e nevojshme.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që vrasja të ketë lidhje me një larje hesapesh, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e atentatit.
Trupi i pajetë i 39-vjeçarit u transportua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante, ku pritet t’i nënshtrohet autopsisë për përcaktimin e detajeve mbi shkakun e vdekjes.
Ndërkohë, autori i dyshuar vijon të jetë në kërkim, ndërsa autoritetet spanjolle po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
