Janë zbuluar detaje të reja lidhur me vrasjen e 50-vjeçarit Alfred Dedja në Ndroq të Tiranës. Autori i dyshuar, Julian Gjoshi, është një emër i njohur për policinë, pasi ai është arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje. Gjoshi u arrestua më 18 janar 2021 për akuzat e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” dhe “drejtim të mjetit në gjendje të dehur”.
Përveç kësaj, Gjoshi rezulton të jetë kunati i Altin Hajrit, një person që është shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës në një kompleks në Shijak. Gjoshi kishte kërkuar ndihmë nga ish-deputeti i PS-së, Jurgis Çyrbja, për të nxjerrë kunatin e tij nga burgu pas arrestimit.
Në një sërë bisedash që janë zhvilluar mes Hajrit dhe Çyrbjes në aplikacionin Sky, Hajri kërkoi ndihmë për të ndryshuar masën e sigurisë për Gjoshi, duke ofruar shuma monetare dhe duke sugjeruar dëmtimin e gjilpërës së armës për t’i shmangur ekspertizës nga policia shkencore. Në një mesazh të dërguar Çyrbjes, Hajri shkruante: “Se kanë kap kunatin tim me pistoletë. Japim 10 mijë euro vetëm të na e prishë atë pistoletën.”
Pista kryesore për hetuesit lidhur me vrasjen e Dedjës është një konflikt mes autorit dhe viktimës, ndonëse motivet e ngjarjes ende nuk janë sqaruar plotësisht.