Pas ngjarjes tronditëse në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri gjatë një seance gjyqësore, rrjetet sociale janë përfshirë nga reagime të ashpra dhe të ndara.
Ndërkohë që një pjesë e komenteve kanë justifikuar ose madje kanë mbështetur aktin e dhunshëm të autorit, Elvis Shkambi, së fundmi është hapur një faqe GoFundMe në ndihmë të tij dhe të babait, Gjon Shkambi, nën sloganin “Support for legal rights for all” (“Mbështetje për të drejta ligjore për të gjithë”).
Fushata është organizuar nga një familjar i tyre, Francesk Shkambi, i cili kërkon ndihmë financiare për të siguruar “mbrojtje ligjore profesionale dhe të pavarur” për dy të akuzuarit. Deri më tani, në platformë janë mbledhur më shumë se 8 mijë dollarë.
Në përshkrimin e gjatë të nismës, ngjarja paraqitet si “pasojë e një sistemi të korruptuar drejtësie dhe dështimeve institucionale”, duke u përpjekur të shndërrojë autorin e krimit në simbol të “padrejtësisë shtetërore”.