Policia e Shtetit ka publikuar foton e Emiljan Sutit, i njohur edhe me emrin Artur Suti, i cili është shpallur në kërkim si autori i dyshuar i vrasjes së 40-vjeçarit Ilir Gjini, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Laçit.

Sipas hetimeve paraprake, Suti dyshohet se ka organizuar një atentat ndaj viktimës, duke e pritur pranë banesës së tij. Pasi Ilir Gjini kishte parkuar automjetin dhe po i drejtohej hyrjes së pallatit, autori i dyshuar ka hapur zjarr ndaj tij.

Burimet hetimore bëjnë me dije se 40-vjeçari, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, është goditur me shtatë plumba. Edhe pse ka tentuar të largohej, ai dyshohet se është ndjekur nga autori dhe është qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës ku banonte.

I plagosur rëndë, Gjini u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.

Sipas të dhënave të deritanishme, viktima dhe autori i dyshuar ishin fqinj, pasi banonin në të njëjtën lagje. Në kuadër të hetimeve, policia ka shoqëruar nënën dhe vëllanë e Emiljan Sutit për veprime procedurale, ndërsa operacioni për lokalizimin dhe arrestimin e tij vijon.