Pamjet e operacionit të zhvilluar gjatë natës në zonën malore të Gjormit tregojnë momentet kur forcat e policisë lokalizuan dhe arrestuan 32-vjeçarin Bertil Alliaj, i cili akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij, Dala Alliaj. Operacioni, që zgjati rreth pesë orë, u zhvillua me intensitet të lartë dhe me përdorimin e dronëve për krehjen e terrenit të vështirë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Vlorës, arrestimi u krye rreth orës 01:05 të mëngjesit, pasi i dyshuari ishte fshehur në një zonë të pyllëzuar pranë vendit të ngjarjes. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, Bertil Alliaj dyshohet se qëlloi me armë zjarri kushëririn e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, përpara banesës së tyre.
Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën dhe sekuestruan një pistoletë tip “Beretta FS92”, një krehër dhe 10 fishekë, që dyshohen se janë përdorur në krim.
