Angjelin Sterkaj, shqiptari i dënuar me 16 vite burg për vrasjen e Armando Beqirajt në Islandë, është liruar me kusht pasi ka vuajtur pak më shumë se pesë vite pas hekurave. Pas lirimit, ai është dëbuar drejt Shqipërisë dhe i është ndaluar rikthimi në Islandë dhe në zonën Schengen.

Vendimi është marrë në bazë të një ndryshimi të përkohshëm ligjor në Islandë, i cili krijon mundësinë që të dënuarit e huaj, ndaj të cilëve është vendosur masa e dëbimit, të përfitojnë lirim me kusht pasi kanë kryer të paktën një të tretën e dënimit.

Sterkaj ishte arrestuar më 17 shkurt 2021 dhe, duke përfshirë periudhën e paraburgimit, ka kaluar gjithsej 2,004 ditë pas hekurave, ose rreth pesë vite e gjysmë. Një e treta e dënimit të tij prej 16 vitesh përllogaritet në 1,947 ditë.

Ai u dënua për vrasjen e 33-vjeçarit Armando Beqiraj, i cili u qëllua nëntë herë pranë banesës së tij më 13 shkurt 2021. Ngjarja shkaktoi tronditje të madhe në Islandë dhe u përshkrua si një ekzekutim i lidhur me përplasje në botën e krimit.

Për të njëjtën çështje u dënuan edhe persona të tjerë të akuzuar si bashkëpunëtorë, ndërsa hetimi për vrasjen ishte një nga operacionet më të mëdha policore të zhvilluara në Islandë në atë periudhë.

Sterkaj kishte pasur probleme me drejtësinë edhe përpara vrasjes. Autoritetet shqiptare kishin kërkuar ekstradimin e tij që në vitin 2015 për një dënim lidhur me grabitje të armatosur, por kërkesa ishte refuzuar nga Islanda në vitin 2017 për shkak se nuk plotësonte kriteret ligjore.

Autoritetet islandeze kanë sqaruar se procedura aktuale e lirimit dhe dëbimit nuk lidhet me kërkesën e mëparshme shqiptare për ekstradim.

Për rastet e krimeve të rënda, autoritetet e emigracionit në Islandë mund të vendosin edhe ndalim të përhershëm hyrjeje në zonën Schengen. Në rastin e Sterkajt është konfirmuar se pas dëbimit ai nuk mund të rikthehet në Islandë dhe në hapësirën Schengen.