Është bërë publike fotoja e Kristjan Sterjos, personit të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Sterjo vijon të jetë në kërkim, ndërsa Policia ka intensifikuar operacionin për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Pak minuta më parë, forca të shumta policie, të mbështetura edhe nga efektivë të RENEA-s, kanë ndërhyrë pranë banesës së të dyshuarit. Kontrolli nuk ka sjellë rezultat, pasi Sterjo nuk ndodhej në banesë në momentin e operacionit.
Forcat speciale dhe shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në zonën përreth, ndërsa janë ngritur postblloqe në disa pika të Korçës me qëllim parandalimin e largimit të tij.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, Sterjo dhe viktima kanë qenë miq dhe janë rritur së bashku. Mes tyre dyshohet se ka pasur një konflikt të hershëm, i cili përfundoi me vrasjen e 20-vjeçarit.

Në fokus të hetimeve janë edhe kamerat e sigurisë të bizneseve dhe banesave pranë vendit të ngjarjes. Pamjet po mblidhen dhe analizohen për të rindërtuar lëvizjet e viktimës dhe autorit të dyshuar para dhe pas krimit.
Ndërkohë, operacioni për kapjen e Kristjan Sterjos vijon, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe dinamikës së vrasjes.
