Vëllezërit Florjan dhe Shkëlqim Duka janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës, si të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Eduard Reçi.
Vëllezërit e kryen atentatin ndaj Reçit për interesa pasurore, pasi kishin ndëruar një lokal në tokën e viktimës. Ekzekutimi u krye pasi vëllezërit kanë studiuar me imtësi çdo lëvizje të biznesmenit duke caktuar kohën dhe vendin kur do të kryhej vrasja.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit F.D. dhe Sh.D. për veprat penale ‘Vrasje me paramendim’ e kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve’ dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’ parashikuar nga nenet 78, pg.2 e 25, 278 dhe 279, pg.1 e 25 i Kodit Panal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.7559 të vitit 2024, rezultoi përtej çdo dyshimi të arësyeshëm, se personi nën hetim Sh.D., në bashkëpunim me vëllanë e tij F.D., kanë kryer vrasjen me paramendim ndaj viktimës E. R.
Nga hetimi rezultoi se viktima E.R. ndër vite ka ndërtuar në Tiranë, dy pallate dhe një vilë dhe të gjitha njësitë e banimit, garazhde, njësitë tregtare, vila etj., i ka dhënë me qira, tek persona të ndryshëm. Ndër personat që viktima ka patur mosmarrëveshje për çështje pronësie janë vellëzërit Sh.D. e F. D., pronarë të një lokali i cili kufizohej me lokalin në pronësi të viktimës, pasi një pjesë e lokalit të të pandehurve ishte ndërtuar në tokën e viktimës.
Nga çmuarja në tërësi e provave dhe indicieve të rëndësishme të administruara, të cilat janë të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën, krijohet bindja tej çdo dyshimi të arësyeshëm se personi nën hetim Sh. D. në bashkëpunim me vëllanë e tij F. D., është autori në rolin e ekzekutorit të tentativës së vrasjes së shtetasit E. R. në datën 08.11.2024 dhe më pas të vrasjes së tij në datën 13.11.2024, me paramendim si dhe të kryerjes së veprave penale të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta në bashkëpunim.
