Një shpërthim me eksploziv është regjistruar mbrëmjen e 29 nëntorit në portën e banesës së 63-vjeçares Bakie Zoto, në lagjen “Partizani” të Vlorës. Mësohet se 63-vjeçarja Bakie Zoto është nëna e Gentian Zotos (Dauti), i dënuar për atentatit ndaj Ines Hajrullës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë referuar materiale në Prokurori pasi, më datë 29.11.2025, rreth orës 23:38, në rrugën “Ali Demi”, lagjja “Partizani”, në portën e jashtme të banesës së shtetases B. Z., 63 vjeçe, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nën drejtimin e Prokuorisë vijon puna për identifikimin, kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjajres.”, njofton policia. 

Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale dhe nuk të lënduar, ndërsa policia po heton rrethanat e ngjarjes si dhe po punon për identifikimin e autorit. Nga ana tjetër, 63-vjeçarja, e cila jeton e vetme, ka deklaruar për mediat se nuk ka pasur konflikte me askënd. 

“Vetëm jetoj. Erdhi dhe policia. Më shumë u bë tym. Jo fare asnjë konflikt. Kam kaq vite këtu në lagje. Nuk e di, jam habitur dhe vetë”, u shpreh Bakie Zoto.