Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë burg pa afat për dy efektivët e policisë të cilët ruanin banesën e 40-vjeçarit Gentian Beqiri, që u ekzekutua 3 ditë më parë në banesën e tij në qytetin e Elbasanit.
Pas kërkesës së prokurorit, gjykata vendosi masën e sigurisë burg pa afat për policët Sami Dersula dhe Reshat Budani. Ata akuzohen për shpërdorim detyre.
Ndërkohë, seanca ndaj 2 efektivëve të policisë dhe personave të tjerë të akuzuar për vrasjen e Beqirit, është zhvilluar në masa të rrepta sigurie. Një ditë pas ngjarjes, policia e Elbasanit njoftoi arrestimin dy personave të dyshuar si autorë të vrasjes së 40-vjeçarit Beqiri, por edhe të babait të tij, Nezir Beqiri, i cili pas ekspertizës mjekësore rezultoi se kishte ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij dhe jo nga infarkti, siç u pretendua menjëherë pas ngjarjes.
Florenc Çapja dhe Ajet Jaçe pritet të dalin gjithashtu para trupit gjykues për t’u njohur me masën e sigurisë, por ndërkaq Çapja ka nxjerrë alibinë se nuk ka qenë fare në Shqipëri ditën që ka ndodhur vrasja.
Gentian Beqiri u ekzekutua në banesën e tij, ndërsa ishte në arrest shtëpie i akuzuar për një vrasje të ndodhur në vitin 2005 dhe në momentin e ngjarjes shtëpia prezupozohet të ruhej nga dy policë. Ndërkohë, i vdekur ka mbetur edhe babai i tij, Nezir Beqiri, si rezultat i dhunës së ushtruar ndaj tij nga ana e vrasësve.
18 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)