Gjykata e Elbasanit ka liruar nga burgu njërin prej të akuzuarve për vrasjen e Nezir dhe Gentjan Beqiri, 40-vjeçarit të paralizuar i cili u vra teksa ishte në arrest shtëpie.
Në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë për dy të akuzuarit, trupi gjykues ka lënë sërish në arrest me burg të dyshuarin Arben Jaçe, ndërsa Florenc Çapja do gjykohet në gjendje të lirë deri në përfundim të procesit. Në seancën e mëparshme gjykata i kishte lënë 60 ditë kohë prokurorisë dhe policisë për të faktuar akuzën e vrasjes ndaj të arrestuarve Florenc Çapja dhe Arben Jaçe, që akuzohen për ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur paraditen e së mërkurës më 15 gusht në qytetin e Elbasanit. Avokatët mbrojtës kishin paraqitur prova se ditën e ngjarjes klientët e tyre nuk ndodheshin në qytetin e Elbasanit, madje Çapja nuk ka qenë në Shqipëri.
Në 15 gusht të këtij viti, 40-vjeçari Gentjan Beqirin është ekzekutuar në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër”, të Elbasanit. Dëshmitar i ngjarjes së rëndë, ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit. Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas ngjarjes, por ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen. Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n, Gentian Beqiri është akuzuar nga organi i drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çape, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Prej disa kohësh 40-vjeçari, ishte në arrest shtëpie për vrasjen e lartpërmendur. Ai vuante nga një dëmtim në shtyllën kurrizore, për shkak të një tentative arratisjeje nga qelitë e paraburgimit. Vrasjet janë kryer në gjakftohtësi dhe dy efektivët rojë nuk e kanë kuptuar që ekzekutorët kanë kryer krimin. Ata e kanë marrë njoftimin vetëm pasi ka ardhur ambulanca.
16 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)