Shkon në dy numri i viktimave të ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Jagodinë të Elbasanit, ku dasma  u kthye në mort. Mariglen Dushku, njëri prej vëllezërve të dhëndrit humbi jetën në spital pas një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale. Ndërkohë vëllai tjetër i dhëndrit, Edmond Dushku, ndodhet nën kujdes mjekësor.


Policia e Elbasanit ka deklaruar se ka mundur të arrestojë autorët vetëm në orën 01:00 pas mesnate. Ata janë dy vëllezërit, Blerim dhe Edmond Eshja, nga fshati Jagodinë. Autorët e ngjarjes dhe viktimat ishin të ftuar në dasmën e familjes Dushku, e cila martonte djalin e vogël.


Sipas burimeve të policisë, përplasjet mes palëve kanë ardhur pas një grindjeje të çastit. Blerim Eshja pretendon se Pëllumb Belegu e ka përplasur me makinë aksidentalisht, duke e hedhur në kanal. Si pasojë e këtij incidenti ka lindur edhe sherri banal, i cili përfundoi në tragjedi. Në momentin që Belegu është kthyer sërish në vendin ku nisi grindja, Blerim Eshja e ka qëlluar në befasi katër herë ne thikë, duke i shkaktuar vdekjen disa minuta pas ngjarjes. Ndërkaq, vëllezërit Dushku kanë ndërhyrë për të ndarë sherrin, por edhe ata janë goditur në befasi me thikë. Pjesë e sherrit është bërë edhe Edmon Eshja, i cili akuzohet për veprën penale të vrasjes së kryer në bashkëpunim. Policia e Elbasanit po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. 10 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)