Konflikti
Zjarrvënësit e qëllimshëm donin pronën ku qëndronin romët
Një zjarr ka përfshirë dje në mëngjes tregun e qytetit të Elbasanit, duke dëmtuar sërish komunitetin rom, pasi në tezgat e improvizuara tregtoheshin veshmbathje të vjetra. Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrit tezgave në orët e para të mëngjesit të djeshëm në lagjen “5 Maji”. Tendat, banakët dhe i gjithë malli që ata kishin brenda dyqaneve të improvizuara është djegur.
Romët, të irrituar kanë kërkuar gjetjen e përgjegjësve të këtij akti vandal. Policia pohoi se zjarri është i qëllimshëm, por nuk jep asnjë informacion apo detaj më shumë. Mësohet se prej disa muajsh ata kanë qenë në konflikt me bashkinë e qytetit, e cila ka kërkuar zhvendosjen e tyre nga vendi ku ushtrojnë veprimtarinë tregtare.
Sipas romëve, bashkia kërkonte t’i zhvendoste ata në një treg privat, që ishte ndërtuar në qytet. Mësohet se taksa për të shkuar në këtë treg ka qenë e lartë dhe ata nuk kanë pranuar të zhvendosen. Vetëm një pjesë e vogël e tyre kishin shkuar pranë këtij tregu, duke iu bindur bashkisë, ndërsa të tjerët kishin refuzuar ose ishin zhvendosur në periferi të qytetit.
Megjithatë, nuk ka ende asnjë qëndrim zyrtar nga ana e policisë, nëse zjarri i vënë tregut të romëve ishte finishi i presioneve që ata të sistemoheshin pranë tregut privat, apo ka pasur konflikte të tjera pronësie mbi tokën ku ata ushtronin veprimtarinë tregtare. Ky treg veç romëve që siguronin jetesën ishte bërë një destinacion edhe për pjesën më të madhe të popullsisë e cila nuk ka mundësi financiare për të blerë rroba apo këpucë në dyqane.