Kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec po shtrihet përtej Tiranës dhe Vlorës, me qytetarë nga disa qytete të vendit që i janë bashkuar valës së protestave kundër investimit të planifikuar në zonën e mbrojtur.
Në Elbasan, qytetarë iu përgjigjën thirrjes për mobilizim, duke u bashkuar me protestues të ardhur edhe nga zona të tjera të Shqipërisë.
Ndërkohë, protesta është zhvendosur edhe në Kukës, ku qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u mblodhën në qendër të qytetit. Gjatë tubimit, pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin ndaj Paketës së Maleve dhe rikthyen në vëmendje çështjen e pronave të përmbytura nga ndërtimi i Hidrocentralit të Fierzës.
Lëvizjes protestuese iu bashkuan edhe banorë të Korçës. Qindra qytetarë u mblodhën në zonën këmbësore të qytetit, ku përveç mesazheve kundër projektit në Zvërnec, mbajtën edhe një minutë heshtje në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën një ditë më parë gjatë një operacioni në Maliq.
Protestuesit kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar ndalimin e projektit në Zvërnec dhe rishikimin e politikave që, sipas tyre, prekin interesin publik dhe mjedisin.
