Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 10 persona të ndaluar gjatë një operacioni të gjerë antidrogë, të zhvilluar në fundjavë nga Policia e Elbasanit me mbështetjen e forcave të FNSH-së.
Aksioni, i drejtuar nga Prokuroria e Elbasanit, u shtri në disa zona njëkohësisht, konkretisht në Përrenjas, Librazhd dhe Elbasan, ku përveç të arrestuarve, 7 persona të tjerë janë shpallur në kërkim si pjesë e të njëjtit rrjet kriminal.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, përfshirë rreth 8 kilogramë kanabis sativa dhe 100 gram kokainë, si edhe para të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Sipas burimeve hetimore, operacioni është rezultat i një hetimi të thelluar që ka zgjatur rreth 10 muaj, ku janë përdorur edhe agjentë të infiltruar, ndërsa aktiviteti i grupit është dokumentuar përmes pamjeve filmike. Gjatë ndërhyrjes janë ushtruar kontrolle në dhjetëra banesa në zonat e përfshira.
Ky aksion vjen në vijim të operacioneve të mëparshme të koduara “Rrjeti” dhe “Tempulli”, në kuadër të goditjes së grupeve që merren me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Ndërkohë, policia bën me dije se operacioni vijon, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e të tjerëve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
