Vendimi i gjykatës
Në datën 21 maj 2015, pas një sërë procesesh, ai dënohet me 25 vite burg. Historia e vrasjes së trefishtë tek “Vasil Shanto” me mitraloz si dhe proceset gjyqësore
Një nga të dënuarit VIP i shpëton burgut të përjetshëm, pas një sërë procesesh gjyqësore, duke filluar nga Shkalla e Parë, Apeli, Gjykata e Lartë, apo edhe Strasburgu. Bëhet fjalë për Elidon Kotorrin, i cili vuante dënimin maksimal nga drejtësia shqiptare, por këmbëngulja i ka sjellë reduktimin me 25 vite burg. Tashmë, Kotorri, i dënuar me akuzën e vrasjes, mund të lirohet për disa vite. Disa ditë më parë, Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor pas një sërë rigjykimesh. Gazeta “Shqip” ka siguruar vendimin e gjykatës i përbërë nga një trup gjykues me kryesues Petrit Çomon dhe anëtarë Ardiana Berën dhe Klorinda Çelën.
Vrasja me mitraloz
Më datë 14 dhjetor 1998 është vrarë në ambientet e jashtme të klubit sportiv “Partizani”, në qytetin e Tiranës, Elton Zajmi. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Tiranës ka akuzuar shtetasin Andi Hasani, por çështja në ngarkim të tij është pushuar, për shkak se ai ka humbur jetën, është vrarë. I Gjykuari, Elidon Kotorri, duke qenë shok me viktimën Elton Zajmi, i bindur se vrasjen e këtij shtetasi e ka kryer Andi Hasani, ka vendosur të hakmerret ndaj tij. Për të realizuar këtë qëllim, Kotorri ka ngarkuar të gjykuarin Olsi Koçiu, i cili ka punuar shofer në aktivitetin tregtar që ushtronte familja Kotorri, duke i lënë si detyrë që ky të ndiqte lëvizjet e shtetasit, viktimës Andi Hasani. Koçiu, pasi ka vështruar lëvizjet e viktimës Andi Hasani për disa ditë me radhë, ia ka treguar këto lëvizje Elidon Kotorrit. Ky i fundit, i bindur tashmë për itinerarin e lëvizjeve të viktimës Andi Hasani, ka urdhëruar të gjykuarin Olsi Koçiu që të mos vazhdonte me ndjekjen e tij. Më datë 10 janar 2000 Kotorri i ka kërkuar Koçiut të bënte gati automjetin e tij se do të shkonin së bashku në Rinas për një udhëtim në Turqi. Më datë 11 janar 2000, Kotorri, në bashkëpunim me disa persona të paidentifikuar, me një automjet të tipit Volkswagen me targa TR 4414 E, kanë vajtur tek stacioni i fundit i Tiranës së Re, për të ndjekur viktimën Andi Hasani. Në këtë kohë viktima Andi Hasani ka hipur në automjetin e tij tip Volvo, së bashku me shtetasit Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe Gregor Stefani. Kotorri, me bashkëpunëtorët e tij është vënë në ndjekje dhe tek vendi i quajtur shkolla “Vasil Shanto”, kanë qëlluar me armë zjarri. Nga të shtënat me armë zjarri kanë mbetur të vrarë Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Gregor Stefani. Mbas kryerjes së krimit, autorët kanë braktisur mjetin e tyre dhe janë larguar me këmbë. Më pas, Kotorri me një mjet motor është kthyer në vendngjarje për të mësuar faktin nëse ishte vrarë shtetasi Andi Hasani. Pasi ka mësuar vdekjen e tij, ai është kthyer në banesë dhe pastaj është nisur për në Turqi. Në vendngjarje është gjetur makina tip Volkswagen e braktisur nga autorët e ngjarjes. Nga këqyrja e saj rezulton se janë gjetur dy armë automatike kallashnikov, një mitraloz i lehtë, dy maska të trikotuara, me vrima tek sytë, një pallto, një pardesy, dorashka, kapele sintetike dhe 38 copë gëzhoja. Sipas aktit të ekspertimit balistik nga 67 gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje, 28 gëzhojat janë qitur prej automatikut nr. 2006909 dhe 39 gëzhoja janë qitur nga mitralozi i lehtë me nr. 904603 të sekuestruara në vendngjarje. Bazuar në aktin e ekspertimit, nga këqyrja e maskave, dorezave dhe kapeles, në kushte laboratorike sipas aktit të ekspertimit janë konstatuar 12 (dymbëdhjetë) fije floku njeriu të cilët janë me vlerë identifikuese. Është përcaktuar se fijet e flokut të gjetura në maskën me mbishkrimin “Reebok”- në ngjarjen e datës 11 janar 2000 kanë karakteristikat e njëjta makro dhe mikroskopike me fijet e flokut të marra model krahasimi të gjykuarit Elidon Kotorri. Mbi këtë bazë është bërë analiza e ADN-së, në Ministrinë e Brendshme, Shërbimin e Policisë Shkencore, në Romë Itali dhe është konkluduar se një fije floku e gjetur në maskën e ndodhur në makinën e tip Volkswagen, me targa TR 4414 E, është e njëjtë me mostrën e marrë nga koka e të gjykuarit.
Proceset gjyqësore
Gjykata e Tiranës, në datën 1 nëntor 2001, e ka dënuar me burgim të përjetshëm. Më pas, Apeli ka vendosur ta lërë në fuqi këtë vendim. Gjykata e Lartë vendosi në vitin 2003 prishjen e vendimeve dhe dërgimin e çështjes në Shkallën e Parë, me një tjetër trup gjykues. Në rigjykim, Gjykata e Tiranës e dënoi me burgim të përjetshëm, ndërsa Apeli e riktheu në Shkallën e Parë. Por çështja shkoi në Gjykatën e Lartë që vendosi në dhjetor 2003 dërgimin e çështjes në Apelin e Tiranës. Apeli e la në fuqi vendimin, pra me burgim të përjetshëm, ndërsa çështja shkoi për herë të tretë në shkallën më të lartë gjyqësore. Gjykata e Lartë nuk pranoi rekurset duke e lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm. Në shkurt 2007, Gjykata Kushtetuese nuk pranoi ankimin e Kotorrit, ndërsa çështja shkoi deri në Gjykatën e Strasburgut. Ajo vendos se ka pasur shkelje procedurale. Në fund merr vendim që shteti duhet t’i paguajë ankuesi 15.600 euro. Në argumentim, Strasburgu shton se gjykatat shqiptare vendimmarrjen e kanë marrë gjatë deklarimeve nga bashkë i gjykuari Olsi Koçiu, deklarime që janë cilësuar si shkelje. “Në lidhje me mënyrën e rivendosjes së të drejtës së shkelur GJEDNJ shprehet ndër të tjera: …Forma më e përshtatshme e kompensimit, në parim, do të ishte gjykimi de novo ose rihapja e procedimeve nëse kërkohet”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës, që u mor më datë 21 maj të këtij viti.
Pas këtij kalvari, Kotorri i drejtohet sërish Gjykatës së Lartë, duke kërkuar rishikimin e vendimeve. Më pas, në datë 5 nëntor 2014, Kolegji Penal vendos të pranojë kërkesën e të dënuarit me burgim të përjetshëm dhe e dërgoi çështjen në Shkallën e Parë, për të disatën herë.
Në rigjykim, prokurori Ervin Karanxha i kërkoi gjykatës pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar, çka do të thoshte se i pandehuri i shpëtonte burgut të përjetshëm.
Akuza argumentonte se gjykimi i shkurtuar bëhej për arsye se ngjarjet kishin ndodhur 16 vite më parë dhe ka pasur vështirësi në gjetjen dhe pyetjen e dëshmitarëve.
Ngjarja 1
Ndodhi më datë 23 dhjetor 1999, rreth orës 14.30 në lokalin “Andia”. Është qëlluar Andi Hasani, i cili u plagos, ndërsa u vranë Santiljan Elezi e Fatmir Hodaj. Kjo çështje u pushua, për mungesë provash. Dyshohej Kotorri.
Ngjarja 2
Ndodhi më datë 11 janar 2000, pranë shkollës “Vasil Shanto”. U qëllua me mitraloz Andi Hasani, i cili ndërroi jetë. U vranë edhe Sokol Alushi e Gazmend Zeneli si dhe është plagosur Grigor Stefani