Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar këtë të martë në favor të kërkesës për përjashtimin e deputetes Elisa Spiropali nga strukturat drejtuese të forcës politike.
Mësohet se gjatë votimit, dy deputetët socialistë, Bledi Çuçi dhe Erion Braçe, kanë zgjedhur të abstenojnë, duke mos mbështetur kërkesën për largimin e saj nga forumet drejtuese.
Ndërkohë, vetë Spiropali nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen ku është zhvilluar votimi.
Ky zhvillim vjen pas vendimit të marrë në Asamblenë e Partisë Socialiste, të mbajtur në Gjirin e Lalzit, ku Spiropali u përjashtua nga të gjitha strukturat drejtuese të partisë.
Largimi i saj nga forumet drejtuese pason qëndrimet kritike që deputetja ka mbajtur lidhur me mënyrën e funksionimit të Partisë Socialiste dhe drejtimin e qeverisë.
Në deklarimet e saj, Spiropali ka kërkuar ndryshimin e modelit të drejtimit, duke shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si merren vendimet brenda forcës politike.
