Një mesazh elektronik me përmbajtje kërcënuese, i dërguar në institucionet e vendit, ka sjellë anulimin e të gjitha seancave gjyqësore të parashikuara për këtë të premte në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Përmes një njoftimi zyrtar, gjykata ka bërë të ditur se rasti është duke u verifikuar nga strukturat përkatëse, ndërsa për arsye sigurie seancat e planifikuara për ditën e sotme nuk do të zhvillohen.

Palët e përfshira në proceset gjyqësore do të marrin njoftim për datat e reja të zhvillimit të seancave përmes sekretarisë gjyqësore, në përputhje me procedurat përkatëse.