Diskutohet bashkim periudhash të kontributeve për rastet që nuk plotësojnë vitet e punës


Lorina Mixha


Emigrantët shqiptarë, të cilët kanë punuar për vite me radhë si në Shqipëri ashtu edhe në Itali mund të marrin dy pensione.


Bashkëpunimi i fundit mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe strukturave italiane, të njohura si patronate, të cilat japin asistencë dhe informacion, lidhet me përfitimet e dyfishta.


Në rastin më të mirë, kur emigranti ka të paktën 18 vjet pune sigurime në Shqipëri dhe 20 vjet derdhje të kontributeve në Itali, mund të përfitojë dy pensione. Në rast se kanë më pak, sigurimet shoqërore dhe INAS-CISL jep asistencën e nevojshme për të rregulluar periudhat e kontributeve për të arritur në përfitimin e dy pagesave mujore, një në Shqipëri dhe një në Itali. Po ashtu, në rast se emigranti nuk plotëson asnjë kriter për të marrë një pension, as në Shqipëri dhe as në Itali, atëherë sigurimet shoqërore në bashkëpunim me patronatet e huaja do të bëjnë të mundur dhënien e asistencës dhe ndihmës për të bashkuar periudhat e kontributeve në dy vendet dhe për t’i dhënë mundësi këtij emigranti të përfitojë të paktën një pension duke përdorur të dy “llogaritë” ku ka derdhur sigurime.


Për të përfituar një pension minimal në Shqipëri kërkohet derdhja e kontributeve për të paktën 15 vjet. Ndërsa në Itali nevojitet pjesëmarrja në skemën e kontributeve për të paktën 20 vjet.


Gjatë këtyre viteve, shqiptarët që punojnë e jetojnë në Itali, kanë mundur të ndryshojnë shumë jo vetëm në ekonominë e tyre, por edhe në atë kombëtare. Ata kanë treguar se dinë të kursejnë dhe të investojnë.


“Investimi për pleqërinë mbetet sfida e përhershme e kujtdo, ndaj dhe ajo nismë që nisi katër vite më parë mbetet një urë drejt të nesërmes së sigurt, kudo që duhet të vendosin qytetarët shqiptarë për të jetuar. Përmes këtij interesimi konkret, ne kemi mundur të fitojmë të gjithë së bashku, pasi garantimi social i pleqërisë nuk është vetëm një sfidë personale, por një sfidë që prek gjithë shoqërinë”, tha dje drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho. Sipas saj, ngritja e zyrës INAS-CISL në Tiranë, na bën të ndihemi më afër dhe të shtojmë hapat e përbashkët. “Unë dhe stafi që drejtojmë besojmë se ky bashkëpunim të jetë edhe më i dobishëm për çdo bashkëqytetar që kërkon të përfitojë nga sistemi aktual i sigurimeve shoqërore në Shqipëri, duke mos humbur asnjë kontribut të punës së tij në Shqipëri dhe duke e përfituar atje ku vendos të jetojë”, theksoi Braho.


Katër vite më parë, një marrëveshje mes INAS-CISL dhe ISSH-së, bëri të mundur dhënien e asistencës çdo emigrant shqiptar lidhur me skemën e sigurimit shoqëror në Shqipëri dhe me të drejtat që u lindin në skemën shqiptare. Falë këtij bashkëpunimi INAS mori përsipër që të asistojë falas në dhënien e informacionit përmbi 500 mijë emigrantëve legalë që ndodhen sot në territorin italian përmes 820 zyrave të saj në të gjithë territorin e Italisë.


“Falë këtij bashkëpunimi nisi të bëhej i mundur ofrimi falas i informacionit për të gjithë emigrantët që jetojnë në Itali lidhur me legjislacionin shqiptar të sigurimeve shoqërore dhe të gjitha ndryshimet që i bëhen këtij legjislacioni në kohë reale”, sqaroi Braho.


 


Bashkëpunimi ISSH-patronat


Shumë bashkatdhetarëve iu krijua mundësia që të mbledhin informacion për historikun e tyre kontributiv që ata kanë realizuar në Shqipëri, direkt nga vendet ku jetojnë, pa qenë e nevojshme që ata të shpenzojnë kohën dhe pushimet e tyre në Shqipëri për të mbledhur këtë informacion Po kështu, u krijua mundësia e marrjes së informacionit dhe futjes në skemë të të gjithë atyre që e konsideruan si mundësi rindërtimin e periudhave të tyre kontributive në shtetin shqiptar, me qëllim mbrojtjen sociale në rastet e pleqërisë, invaliditetit apo humbjes së jetës së kryefamiljarit.