Një operacion i gjerë antidrogë është finalizuar nga autoritetet italiane, ku janë arrestuar 30 persona. Mes të prangosurve janë  dhe 13 shqiptarë, e po ashtu disa gra e vajza.

Grupi kriminal kishte bazën në rajonin e Salentos dhe vepronte në disa zona të Italisë. Të arrestuarit akuzohen për trafik ndërkombëtar droge, ku gjatë hetimeve dyvjeçare janë sekuestruar 2,677 kilogramë lëndë narkotike përfshirë kokainë, heroinë, hashash dhe marihuanë si dhe 4,975 litra vaj hashashi. Vlera e tregut e këtyre lëndëve kap shifrën e rreth 6 milionë eurove, sipas mediave italiane.

Mes të arrestuarve janë: Xhuljano Ajazaj, 28 vjeç; Julian Beqiraj, 45 vjeç; Alfred Feta, 56 vjeç; Jeta Feta, 51 vjeç; Erion Kaloshi, 44 vjeç; Arjan Komini, 44 vjeç; Lulëzim Kule, 49 vjeç; Eltion Majkaj, 37 vjeç; Lusjan Mbole, 30 vjeç; Xhjusild Osmenaj, 34 vjeç; Nelm Sacaj, 28 vjeç; Shkëlqim Sinani, 48 vjeç; Endri Xhumbaraj, 33 vjeç; Ervis Xhumbaraj, 47 vjeç; si dhe Kujtim Zeqe, 53 vjeç.

Sipas hetimeve, drejtues të grupit dyshohet të jenë shqiptari Lulëzim Kule dhe një shtetas spanjoll, Carlo Serio. Kule konsiderohet si lidhja kyçe mes Shqipërisë dhe Spanjës, duke ofruar mbështetje logjistike për furnizimin, transportin dhe ruajtjen e drogës.

Ndërkohë, një grup tjetër shqiptarësh Alfred Feta, Arjan Komini, Shkëlqim Sinani dhe Kujtim Zeqe dyshohet se ishin të specializuar në trafikimin e narkotikëve kryesisht kanabis dhe marihuanë, të cilat ruheshin në provincën e Leçes për shpërndarje në disa qytete italiane.

Operacioni vjen si rezultat i një hetimi të gjatë dhe të koordinuar mes autoriteteve italiane dhe agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare.