Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim pasi i morën një 55-vjeçari te rrethrrotullimi i Rinasit, 40 000 euro, duke e mashtruar nëpërmjet komunikimeve në një aplikacion se ishin të njohur të tij.

Katër nga autorët janë identifikuar si Krenar Toromeni, Ilia Gjini, Artur Lecini dhe Elton Rrushi. Gjatë këtij aksioni dhe kontrollit të banesës së Artur Lecini ku është gjetur dhe Elton Rrushi, blutë kanë zbuluar një ambient i përshtatur me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.

Në këtë ambient efektivët sekuestruan dhjetëra bimë kanabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi kokaine dhe kanabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5”.

Njoftimi i policisë:

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posacme Operacionale në DVP Tiranë, Komisariatet e Policisë të Kavajës dhe Divjakës, pas administrimit të kallëzimit nga një 55-vjeçar, se ishte mashtruar nga disa shtetas të panjohur prej tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit:

-K. T., 36 vjeç, banues në Divjakë, I. Gj., 24 vjeç, banues në Divjakë, A. L., 39 vjeç dhe E. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. B., 34 vjeç dhe L. M., 35 vjeç.

Shtetasit K. T, I. Gj, A. L, E. B dhe L. M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në anë të mashtrimit duke iu prezantuar si i njohuri i tij, i kanë marrë shumë prej 40.000 euro një 55-vjeçari. Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. L, ku është gjetur dhe shtetasi E. Rr, është zbuluar një ambient i përshtatur me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.

Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar dhjetëra bimë Cannabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5”. Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.