Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të diel në Itali, ku kanë humbur jetën dy të rinj shqiptarë.

Mediat italiane raportojnë se në unazën jugore të Bergamos janë përplasur dy mjete me njëra-tjetrën, një Benz dhe një furgon, dhe për pasojë kanë humbur jetën tre persona, ku dy prej tyre janë me origjinë shqiptare.

Sipas mediave, në këtë aksident kanë humbur jetën tragjikisht Klinton Sala, 23 vjeç, drejtues i Mercedes-it, dhe Denis Cana, 21 vjeç, pasagjer në mjet.

Të dy ishin miq dhe po udhëtonin së bashku. Viktima e tretë është Oscar Angioletti, 62 vjeç, nga Zanica (Bergamo), i cili ndodhej në furgon me vëllain e tij 64-vjeçar, që mbeti i plagosur rëndë.

Mediat raportojnë po ashtu se, nga hetimet paraprake, rezulton se Mercedes-i ka tentuar të parakalojë një makinë tjetër në një zonë me vijë të dyfishtë të vazhdueshme, duke hyrë në krahun e kundërt dhe u përplas drejtpërdrejt me furgonin.

Në vendngjarje ndërhynë ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policia rrugore. Seksioni i rrugës ku ndodhi ngjarja u mbyll për disa orë për hetime.