Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Lezhë-Shkodër, afër fshatit Gocaj. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, si pasojë e të cilit dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një grua dhe një fëmijë që udhëtonin me mjetin tjetër kanë mbetur të plagosur.

Sipas burimeve, viktimat janë identifikuar si Elona Florini dhe Petrit Florini, një çift bashkëshortësh nga Puka. Petrit Florini, i cili ishte efektiv policie, ka ndërruar jetë në vendngjarje bashkë me gruan e tij.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të nxjerrë trupat e pajetë nga automjetet dhe kanë transportuar të plagosurit në spital. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur shkakun e këtij aksidenti tragjik.

Një ditë më parë, në aksin Gjirokastër-Tepelenë, u regjistrua një tjetër përplasje e fortë që mori jetën e tre personave, ndërsa një e re mbeti e plagosur rëndë.