Policia ka arrestuar tre persona të cilët akuzohen për një sërë vjedhjesh në disa banesa, në fshatra të Himarës.
Mësohet se në pranga kanë rënë Elisidjano Goxha, Denito Ruçi dhe Klodjan Hila. Ndërkohë, nën hetim është një 18-vjeçare e cila kishte dijeni për aktivitetin kriminal, por nuk e ka denoncuar.
Në banesën e një prej të arrestuarve policia sekuestroi: 1 armë zjarri kallashnikov, 3 silenciatorë, municion luftarak dhe sende që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjeve.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: -E. G., 31 vjeç, banues në Sarandë; -D. R., 39 vjeç, banues në Sarandë; -K. H., 37 vjeç, banues në Finiq. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer disa vjedhje në territorin e bashkisë Himarë, konkretisht:
- më datë 15.08.2025, dyshohet se kanë vjedhur 250 000 lekë, në banesën e shtetasit N. L., në fshatin Pilur;
- më datë 27.08.2025, dyshohet se kanë vjedhur 1 300 000 lekë, në banesën e shtetasit A. B., në fshatin Piqeras;
- më datë 19.09.2025, dyshohet se kanë vjedhur 200 000 lekë, në banesën e shtetasit Q. M., në fshatin Borsh;
- më datë 20.09.2025, dyshohet se kanë vjedhur vegla të ndryshme pune, në banesën e shtetasit G. N., në fshatin Borsh.