Një çift bashkëshortësh kanë rënë në pranga në Lezhë, të akuzuar për dëshmi të rremë.

Agustin Prenga, 57-vjeç dhe Valbona Prenga, 53 vjeç, gënjyen në dëshminë e dhënë gjatë seancës gjyqësore për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, e cila u rihap pasi autori i krimit u vu në pranga në 2024-ën.

Çifti Prenga po dëshmonin në një proces gjyqësor për vrasjen e vitit 1997 në fshatin Rrasfik të Mirditës, ku vëllai i 53-vjeçares vrau motrën e tyre, së bashku me bashkëshortin.

Në dëshminë e parë, çifti Prenga patën deklaruar se kanë qenë prezentë në momentin e vrasjes dhe thanë se krimi ishte në rrethana cilësuese. Ndërsa në dëshminë aktuale kanë thënë se s’kanë qenë prezentë kur ka ndodhur krimi I dyfishtë. Me kërkesë të prokurorisë së Lezhës, është bërë arrestimi për dëshmi të rremë.

 Çështja për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në 1997 u rihap pasi në janar të këtij viti, autori Gjovalin Lesi u ekstradua nga Italia drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin me burg përjetë. Lesi, i cili u arrestua në Itali në prill të 2024-ës, u ekstradua në janar të 2025-ës pasi është dënuar nga gjykata e Mirditës për veprat penale vrasja me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Në vitin 1997, Gjovalin Lesi vrau me armë zjarri kallashnikov, motrën dhe bashkëshortin e saj pas një konflikti për pronësie. Gjovalin Lesi ishte në listën e 50 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, i dënuar përjetë.