Policia greke ka arrestuar tre shtetas shqiptarë në lidhje me një përplasje me armë zjarri të ndodhur më 8 janar 2025 në Selanik. Në qendër të ngjarjes ishte Danjel Dushku, 32 vjeç, i cili gjithashtu është shpallur në kërkim.

Robert Elezaj, 33 vjeç, Sergo Elezaj, 31 vjeç, dhe Rueldi Dragjoshi, 26 vjeç, u arrestuan mëngjesin e së mërkurës, në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara nga autoritetet greke.

Sipas hetimeve, tre të dyshuarit iu afruan Dushkut mbrëmjen e ngjarjes. Policia dyshon se Robert Elezaj dhe Rueldi Dragjoshi qëlluan në drejtim të tij, por plumbat nuk e prekën. Një person që ndodhej aty pranë mbeti i plagosur, ndërsa u dëmtua edhe një dyqan.

Sergo Elezaj dyshohet se ua drejtoi armën Dushkut, por hetuesit nuk kanë përcaktuar nëse ai qëlloi. Sipas policisë, ai i çoi dy të tjerët në vendngjarje me një makinë me qira dhe i ndihmoi para e gjatë përplasjes.

Autoritetet greke thonë se edhe Dushku qëlloi me armë në drejtim të tre personave. Nga të shtënat e tij nuk pati të plagosur, por u dëmtuan makina me të cilën kishin mbërritur të dyshuarit dhe një automjet tjetër i parkuar.

Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e përplasjes dhe rolin e secilit person të përfshirë.