Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e së shtunës në fshatin Shtyllas të qarkut të Fierit, ku një baba dhe djali i tij kanë plagosur me mjet prerës shtetasin Llesh Marku, 58 vjeç, pas një konflikti për motive ende të paqarta, por që dyshohet të jenë të dobëta.

Policia e Fierit reagoi me shpejtësi, duke mbërritur në vendngjarje dhe duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasit Pashuk Paluca, 63 vjeç. Ndërkohë, djali i tij, Ndue Paluca, 40 vjeç, është shpallur në kërkim dhe po vijon puna intensive për kapjen e tij.

I dëmtuari, Llesh Marku, është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ende nuk janë dhënë informacione zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore.

Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit bënë arrestimin në flagrancë të Pashuk Palucës për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (sopatë), me të cilin është kryer sulmi ndaj 58-vjeçarit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për vijimin e hetimeve.