Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në fshatin Majac të Podujevës, në Kosovë, ku një burrë ndërroi jetë dhe dy gra mbetën të plagosura me armë zjarri. Raportohet se fillimisht ka ndërruar jetë 42-vjeçari Ilaz Brahimi, teksa sot ka humbur jetën në spital edhe 31-vjeçarja Miradije Gashi. Kjo e fundit dyshohet si autorja e krimit.

Iliaz Brahimi ishte ftuar për takim nga e dyshuara në shtëpinë e saj, pasi mes tyre kishte një lidhje intime. Në banesë, 31-vjeçarja e ka qëlluar disa herë me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Pas ngjarjes, Miradije Gashi raportohet se është mbyllur në shtëpi dhe ka kërcënuar persona të tjerë që tentonin t’i afroheshin, deri sa ka qëlluar veten me plumb në kokë. Kur u gjet nga policia ajo ishte ende në jetë, por pasi u dërgua në spital, nuk ka mundur të mbijetojë.

Ndërkohë, në spital vijon të marrë trajtim një 73-vjeçare e plagosur po nga Gashi.