Sot, rreth orës 12:20, Policia e Vlorës mori informacion për një konflikt të dhunshëm që ndodhi në zonën e njohur si Rreth rrotullimi i Nartës, në hyrje të qytetit. Konflikti përfshiu punonjës të Inspektoratit të Ndërtimit dhe Urbanistikës (INUV) dhe tre shtetas: Irfan Dalipaj, 58 vjeç, Drisild Dalipaj, 27 vjeç, dhe Fabjo Dalipaj, 23 vjeç.
Punonjësit e INUV ishin në terren për të informuar bizneset për lirimin e hapësirave publike, kur janë përballur me dhunë. Dy punonjës të Policisë së Qarkullimit Rrugor, që po kryenin shërbimin e planifikuar, kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, por janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e përfshirë në konflikt.
Për të ndaluar sulmin, një prej punonjësve të Policisë ka përdorur armën e shërbimit, duke qëlluar në ajër. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
Si pasojë e dhunës, dy punonjësit e Policisë janë transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por kanë marrë lëndime në kokë dhe trup, duke përfshirë fraktura. Drejtori i Policisë së Vlorës ka vizituar punonjësit e tij në spital për t’u siguruar për gjendjen e tyre shëndetësore.
Grupi hetimor, i përbërë nga Oficerë të Policisë Gjyqësore, përfaqësues të Prokurorisë dhe AMP-së, ka mbërritur në vendngjarje dhe po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.
