Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë pasi dyshohen se janë autorët e vrasjes së 23-vjeçarit, Renis Dobra, krimi i ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut në Madhesh të Ulzës.

Bëhet e ditur se të arrestuarit janë Petrit Çakrri, i cili është kapur nga blutë në Lekbibaj të Tropojës, si edhe Fatjon Bushgjoka, që u arrestua në Tiranë.

Dy personat në fjalë ndodhen në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ndërkohë mësohet se dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Renis Dobra po kthehej në banesë dhe ndodhej rreth 5 minuta larg shtëpisë kur autorët e rrëmbyen.

Pasi e dhunuan, e mbytën me litar dhe më pas trupin e pajetë të të riut së bashku me makinën ku ai udhëtonte në momentin e rrëmbimit e hodhën drejt liqenit të Shkopetit.

Dyshohet se trupi i 23-vjeçarit Renis Dobra ka dalë nga makina gjatë rrokullisjes, ndërsa u gjet mëngjesin e 9 korrikut gjatë kërkimeve të familjarëve.