Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Itali, ku një automjet është përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë, duke shkaktuar humbjen e jetës së dy të rinjve shqiptarë.
Viktimat janë identifikuar si Blendi Syla, 20 vjeç, dhe Robert Daçi. Përplasja ka qenë e fortë dhe pasojat kanë rezultuar fatale për dy të rinjtë.
Lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Blendi Sylës është konfirmuar edhe nga familjarët, të cilët përmes një postimi në rrjetet sociale kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen tragjike. Familja ka bërë me dije se data dhe ora e ceremonisë mortore ende nuk janë përcaktuar, pasi pritet kthimi i trupit në Shqipëri, ndërsa informacionet e mëtejshme do të bëhen publike në vijim.
Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë, të cilët janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Autoritetet italiane po punojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.


