Pesë shqiptarë të cilët fshiheshin nga drejtësia në Emiratet e Bashkuara Arabe janë lokalizuar dhe arrestuar ditën e sotme.

Katër prej tyre, konkretisht Kristo Qirici, Shkelzen Kraja, Ilir Lazri, Aleks Pepaj, janë të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, ndërsa Merxhan Celiku akuzohet për mashtrim kompjuterik. Policia e Shtetit bëri me dije se të pestë po fshiheshin prej kohësh në Dubai dhe tani kanë nisur procedurat për ekstradim. Ndërkohë hetimet vijojnë për një tjetër person që gjendet në Dubai i dyshuar për përdorim të dokumenteve false.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit me homologët në Abu Dhabi, janë kapur në Dubai dhe janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 5 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të kërkuar nga SPAK-u. 4 nga këta shtetas, konkretisht K. Q., 44 vjeç, Sh. K., 44 vjeç, I. L., 30 vjeç, A. P., 38 vjeç, janë të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Shtetasi M. C., 34 vjeç, është i dyshuar për mashtrim kompjuterik”, njoftoi policia.

Gjithashtu, vijon bashkëpunimi për verifikimin e një shtetasi tjetër shqiptar që ndodhet në Dubai, i cili dyshohet se përdor dokumente false. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit në Shqipëri, të 5 shtetasve të kapur në Dubai.