Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për një ndryshim të thellë të pushtetit vendor, Bashkia Cërrik ka kryer zbatimin e procesit, duke ndërmarrë hapa konkretë në ristrukturimin e njësive administrative.

Në këtë kuadër, disa konkurse tashmë janë zhvilluar dhe kanë nisur emërimet e para në pozicionet drejtuese. Deri më tani, dy nga katër njësitë administrative të Cërrikut kanë drejtues të rinj.

Në njësinë administrative Klos, drejtimin e merr Elis Duzha në vend të Arjan Gribës, ndërsa në njësinë Gostimë, Eneo Taçja zë vendin e Gëzim Kadiut. Njësitë Mollas dhe Shalës vijojnë të drejtohen nga Xhevdet Sade dhe Brunilda Kurti.

Ndryshime janë bërë edhe në drejtori të rëndësishme brenda Bashkisë: Drejtoria e Shërbimeve Publike i është besuar Olti Bozit, ndërsa Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit udhëhiqet nga Florian Qosja, me fokus mbi rritjen e gatishmërisë dhe profesionalizmit.

Sipas burimeve zyrtare, në fillim të muajit shtator priten ndryshime të tjera, përfshirë emërimin e dy nënkryetarëve të rinj, duke kompletuar kështu fazën e parë të reformës administrative në nivel vendor.

Kryetari i Bashkisë, Andis Salla, thekson se të gjitha emërimet dhe ndryshimet po kryhen në mënyrë transparente, duke respektuar procedurat ligjore dhe duke synuar një administratë më funksionale, efikase dhe më të afërt me qytetarin. Riorganizimi synon jo vetëm menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore, por edhe përmirësimin e standardit të shërbimeve publike dhe dinamizimin e administratës vendore.