Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Destinacioni 3”, duke goditur një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kanabis nga Tajlanda në Shqipëri, përmes shërbimit postar. Gjatë operacionit, janë sekuestruar 520 gramë kanabis me përqindje të lartë THC, me vlerë rreth 11,000 euro, si dhe shuma parash, aparate celularë dhe prova të tjera materiale.
Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar tre shtetas, të identifikuar si Igli Pallosha, Ralf Zoga dhe Eris Krymbi, të gjithë 25 vjeç, banues në Tiranë. Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar për të trafikuar drogën, duke përdorur shërbimin postar për dërgimin e sasisë së lëndës narkotike.
Operacioni është realizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Filialin Qendra Tranzite të Postës Shqiptare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
