Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona, të dyshuar për vendosjen e një sasie lënde plasëse në lagjen nr. 3 të qytetit.
Në pranga kanë rënë Sherif Çela, 47 vjeç, dhe Muharrem Thartori, 46 vjeç, të dy banues në Durrës.
Ngjarja është regjistruar më 28 gusht 2026, kur në lagjen nr. 3 u konstatua një aparat celular i lidhur me një sasi lënde plasëse, e cila dyshohet se ishte vendosur pranë një automjeti.
Pas hetimeve të kryera nga strukturat e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë, autoritetet kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë dy të dyshuarit.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe tre aparate telefonikë celularë, të cilët pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
