Të tjera detaje janë zbardhur në lidhej me aksionin e zhvilluar sot nga SAK në Tiranë, pas zbardhjes së vrasjes së Klevis Lleshit.

Mësohet se deri më tani janë arrestuar Sabah Nuzi dhe Samet Loka, të dy 31 vjeç, të cilët dyshohen se janë personat që kanë ekzekutuar dhe rroposur të riun në vitin 2020. Ndërkohë, në kërkim vijojnë të jenë Aurel Hoxha, njëkohësisht porositësi i krimit dhe Sajmir Kolaveri, bashkëpunëtor në vrasje.

Mësohet se vrasja makabre u zbulua nga zbardhja e komunikimeve në Sky ECC, duke zbuluar autorët dhe personin që e urdhëroi.

Klevis Lleshi u zhduk në gusht të vitit 2020, duke alarmuar familjen e tij që bëri denoncimin në polici. Në atë kohë, nëna thoshte se djalin ia kishin vrarë për shkak të hasmërisë. Sipas saj, djali i kunatit të saj, Arben Lleshi ka vrarë gjatë kohës që ishte në Angli, Agim Hoxhën.

Kjo gjakmarrje do të shënonte dhe tre viktima të tjera. I ati i Klevisit, Xhavit Lleshi u vra në një pritë në vendin e quajtur “Pujkë” në vitin 2013, ndërsa pak vite më pas i është vrarë xhaxhai Hajredin Lleshi, pranë shtëpisë. Ndërkohë Arben Lleshi do të vritej në burgun e Peqinit në vitin 2023.

Ndërkohë, trupi i të riut Klevis Lleshi u gjet në vitin 2022, i groposur në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit. Trupi i të riut doli pasi erozioni e shembi pjesën ku ai ishte varrosur.