Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim dy persona të dyshuar për një incident të rëndë që lidhet me fushatën zgjedhore. Në kërkim janë Xhejson Seferaj, 27 vjeç, dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç, të cilët dyshohet se kanë ndjekur dhe kërcënuar me armë familjarët e Klotilda Ndrecës, kandidate e PS në zonën e Dajçit.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 23:25, kur dy persona raportuan në polici se automjeti i tyre ishte ndjekur nga dy makina të tjera dhe më pas ishin kërcënuar me armë zjarri.

Policia ka nisur menjëherë hetimet dhe, sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ngjarja ka lidhje me aktivitetet elektorale të Ndrecës. Të dy të dyshuarit akuzohen për “kanosje apo dhunim të pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për kapjen e autorëve.