Dy persona, vëlla e motër, janë vënë në pranga në Vaun e Dejës, të akuzuar për kultivim kanabisi.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Kroni i Madh, ku u gjetën 308 bimë të mbjella nga 33-vjeçari Pal Pepaj dhe 43-vjeçarja Agetina Pepaj, të cilat u asgjësuan. Gjithashtu është vendosur nën hetim kryeplaku i fshatit dhe vrojtuesi i pyjeve, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni i koduar “Monitorimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëlla e motër), të dyshuar si autorë të kultivimit të një numri të konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, në fshatin Kroni i Madh. Procedohen në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kroni i Madh dhe vrojtuesi i pyjeve, për shpërdorim detyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Monitorimi”.

Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Kroni i Madh, u gjetën të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese që u sekuestrua si provë materiale. Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit P. P., 33 vjeç, dhe A. P., 43 vjeçe (vëlla e motër), banues në fshatin Kroni i Madh, të dyshuar si autorë të kultivimit. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. D., 51 vjeç, kryeplak i fshatit Kroni i Madh, dhe N. G., 56 vjeç, vrojtues pyjesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.