Janë bërë publike emrat e personave të përfshirë në operacionin e sotëm të zhvilluar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në pranga kanë rënë Vilson Roçi dhe Akil Alushi, ndërsa ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Erjon Dani, është vetëdorëzuar pasditen e sotme pasi u informua për urdhrin e arrestit.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur tre persona të tjerë: Ledri Lulashi, Lorenzo Çadri (i njohur edhe me mbiemrat Hysko dhe Isufi) dhe Sokol Masha.

Operacioni lidhet me hetimet për një grup të dyshuar kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një operacion të gjerë në qarqet, Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë ndaj personave nën hetim për trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në vendet e BE.

Ky operacion u krye në kuadër të procedimit penal nr. 177 të vitit 2023* dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nr 70, datë 10.07.2025.

Nga 13 personat e identifikuar deri tani të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal, janë arrestuar 7 persona, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim.

  • 13 personat nën hetim: M. Gj., A. A., K. M., S. M., D. H., J. (alias I.) M., A. Gj., L., (alias A.,) Ç., (alias H., I., Ç.,), L. L., S. L., E. D., V. R., dhe E (alias M.) R., të cilët, dyshohet se kanë marrë pjesë në aktivitete të paligjshme kriminale respektivisht në 11 (njëmbëdhjetë) episode.
  • 7 personat ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e sigurisë (parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale): A. Gj., V. R., A. A., M. Gj., J. (alias I) M., S. L dhe E. D.
  • 6 personat në kërkim: : K. M., D. H., E. R., L. L., S. M., L. Ç.

Për 6 personat e tjerë, shumica e të cilëve ndodhen jashtë vendit, nuk është bërë ende i mundur arrestimi, janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe Europol, po punon për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga hetimet e deritanishme ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat e dyshuar, në funksion të aktivitetit të paligjshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së, me qëllim përfitimi monetar si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kanë komunikuar mes tyre edhe me anë të aplikacionit të platformës së enkriptuar, “Sky ECC”¸ komunikime të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.