Një skemë e dyshuar mashtrimi përmes Inteligjencës Artificiale ka vënë në shënjestër një 70-vjeçar në Tiranë, të cilit dyshohet se i janë marrë 100 mijë euro.
Policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër. Në pranga kanë rënë Brian Serica, 31 vjeç, dhe Skerdi Meta, 23 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi R. H., 31 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, të rinjtë kanë kontaktuar 70-vjeçarin përmes mesazheve dhe janë paraqitur si persona që ai i njihte. Përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale, dyshohet se kanë krijuar komunikime që e kanë bindur të moshuarin se po komunikonte me persona të besuar.
70-vjeçari, i cili ushtronte aktivitet në fushën e këmbimit valutor, është bindur t’u dorëzonte 100 mijë euro, me premtimin se shuma do t’i kthehej pas disa orësh.
Kur afati kaloi dhe paratë nuk iu kthyen, ai ka denoncuar menjëherë rastin në Polici.
Hetimet vijojnë për kapjen e shtetasit R. H., si dhe për identifikimin e personit që dyshohet se ka shkuar pranë subjektit të 70-vjeçarit dhe ka marrë shumën e parave.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë mekanizmin e skemës së mashtrimit dhe personat e tjerë që mund të jenë përfshirë.
