Detaje janë publikuar në lidhje me arrestimin e tre personave në Tiranë, që u kapën me 1 kg e 52 gramë kokainë. Mësohet se dy nga të arrestuarit Andrea Dema 24 vjeç dhe Robert Domi 30 vjeç ishin nga Shijaku ku dhe siguronin lëndën narkotike.
Më pas ata e sillnin në Tiranë dhe ia dorëzonin kokainën shokut të tyre Genis Mustafa, i cili e shpërndante në disa zona të Tiranës.
Kokaina shpërndahej në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Durrësit si dhe në zonën e 21-Dhjetorit.
“Në rrugën ‘Vangjush Furrxhi’, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin Genis Mustafa dhe pasagjerë shtetasit Andrea Dema dhe Robert Domi. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 1 kg e 52 gramë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe më pas furnizonin disa rrjete shpërndarësish, në rrugën ‘Myslym Shyri’, në Rrugën e Durrësit dhe në zonën e 21-Dhjetorit”, njoftoi policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 52 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 4 aparate celulare, 1400 euro dhe 78 900 lekë.
Aksioni i koduar “Three stars” u krye nga efektivët e seksionit të hetimit të narkotikëve në drejtorinë e kryeqytetit në bashkëpunim me ata të operacionales dhe prokurorinë e Tiranës.