Gjykata ka lënë në burg Oltjon Asllanin, 28 vjeç, i njohur si “Vodollari”, dhe shokun e tij Serxhio Bajza, 30 vjeç, pas ngjarjes së ndodhur në zonën e Kombinatit ku u qëllua me armë automatike drejt një automjeti në lëvizje.
Asllani ka pranuar para trupit gjykues se ka qëlluar me kallashnikov drejt mjetit në pronësi të shtetasit R. Kurteshi, pas një konflikti të dhunshëm që kishte pasur më herët me disa persona. Ai ka deklaruar se nuk kishte synim të vriste, por vetëm të trembte dy prej individëve që, sipas tij, e kishin dhunuar fizikisht.
Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij, Bajza, ka pohuar se e ka shoqëruar me makinë Asllanin jo me dëshirë, por sepse ishte ndjerë i kërcënuar prej tij.
Sipas hetimeve, ngjarja erdhi si pasojë e një sherri mes 28-vjeçarit dhe katër personave të tjerë për shkak të kalimit në rrugën pranë banesës së tij. Pas dhunës fizike, ai mori armën dhe i shoqëruar nga Bajza, qëlloi disa herë në drejtim të makinës ku udhëtonin dy nga personat me të cilët kishte pasur konfliktin.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të lënduar, por ngjarja krijoi panik në zonë. Të dy të arrestuarit do të qëndrojnë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.