Një bandë kriminale shqiptare me bazë në Londër, përdorte stacionet e M25 për të transportuar emigrantë shqiptarë që hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas policisë britanike tre anëtarë të grupit, të identifikuar si Toni Liko 42 vjeç, Klement Gjika 44 vjeç dhe Stelian Bodnariu 37 vjeç, të cilët kërkonin nga 11,000 paund për person, janë dënuar me gjithsej 15 vjet burg. Toni Liko dhe Klement Gjika u dënuan me nga pesë vjet e tetë muaj burg, ndërsa Stelian Bodnariu u dënua me tre vjet e katër muaj.

Hetuesit zbuluan se gjatë 18 muajve të funksionimit të bandës ata kishin dërguar në Londër deri në 20 shtetas shqiptarë, por shifra reale besohet të jetë shumë më e lartë. Policia tha se për të kapur grupin, oficerët ndoqën automjetet, analizuan CCTV-të e stacioneve të shërbimit dhe përdorën mbikëqyrje për të identifikuar udhëheqësit e bandës. Treshja e shqiptarëve u arrestua më 18 qershor të vitit të kaluar dhe telefonat e tyre u kontrolluan për mesazhet që tregonin koordinimin midis kontrabandistëve dhe shoferëve të kamionëve.

Inspektori Stuart Jack, që udhëhoqi hetimin, tha se kjo bandë kishte vetëm një motiv: fitimin e parave. Ai shtoi se emigrantët që trafikohen shpesh shfrytëzohen më tej kur mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar ose detyrohen të punojnë për rrjetet kriminale.

“Apeloj tek shoferët e kamionëve të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë. Kjo nuk është një krim pa viktima”, tha Jack.