Tetë persona kanë rënë në pranga gjatë 24 orëve të fundit për arratisjen spektakolare të Altin Ndocit nga spitali i Durrësit. Ndoci ishte i shoqëruar nga efektivët e Policisë së Burgjeve, në momentin që shkoi në spitalin e Durrësit për të bërë disa vizita mjekësore.

Të arrestuarit janë: Aulon Çuko, kryeinfermier në spitalin e Durrësit dhe Desdemon Pazaj, zëvendësshef i Policisë. Pesë efektivë policie të shoqërimit të ndaliar janë Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela dhe Violeta Uka.

Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit. Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë, por 2 prej efektivëve kanë qëndruar në makinë bashkë me drejtuesin dhe 2 policë të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit.

Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar. Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit. Të dy efektivët që e shoqëronin brenda spitalit, e ndoqën dhe njëri prej tyre mësohet se ka qëlluar në ajër jashtë spitalit për ta trembur të arratisurin.

Ngjarja dyshohet të ketë qenë e mirë menduar dhe e planifikuar, pasi jashtë spitalit të paraburgosurin e priste një makinë, një “Audi” luksoze A7 e bardhë, me targë AA700RS, në pjesën e parkimit, me të cilën u larguan. Po ashtu, pas arratisjes, postblloqe të shumta policie janë ngritur në rrugët e Durrësit për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Policia e Durrësit, përveç kontrolleve në qytet dhe fshatrat përreth ka shtrirë kontrollet edhe në Kavajë. Ndërsa në qarqet kufitare, Fier, Tiranë, Lezhë, e më gjerë ka pika kontrolli ne hyrje të qyteteve. Sakaq, Drejtoria e Burgjeve ka nisur një hetim për sqarimin e plotë të rrethanave se si u arratis 38-vjeçari Altin Ndoci.