Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Rrugën e Dibrës, ku shtetasi Mikel Xibro, 48 vjeç, është plagosur me mjet prerës pas një konflikti për motive të dobëta. Si pasojë e veprimeve të shpejta të forcave të policisë, është arrestuar autori i dyshuar, Ronald Lacej, 51 vjeç, i cili ka një histori të mëparshme penale për vrasje dhe vepra të tjera të rënda.

Policia ka bërë të ditur se, pas marrjes së njoftimit për plagosjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, janë nisur menjëherë në vendngjarje. Ata kanë kapur dhe ndaluar autorin, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti, ka goditur me thikë Mikel Xibron.

Shtetasi Mikel Xibro është dërguar në spital, ku po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar thika e dyshuar e përdorur për plagosjen. Materialet procedurale janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.