Një konflikt mes dy shoferëve të furgonëve është regjistruar mesditën e sotme pranë tregut të Kavajës. Përplasja ka përfunduar me një person të dëmtuar, ndërsa policia ka shoqëruar një prej drejtuesve të furgonëve.

Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka ndodhur rreth orës 12:00 mes Lufti Kaziu dhe Iljaz Istrefi. Shkaqet e përplasjes ende nuk janë bërë të ditura.

Gjatë përleshjes, Iljaz Istrefi dyshohet se është goditur me një levë në kokë. Ai është transportuar në Spitalin e Kavajës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë së Kavajës, të cilat kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e konfliktit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Ndërkohë, Lufti Kaziu, drejtuesi i njërit prej furgonëve, është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme hetimore.