Një incident i rëndë është regjistruar një ditë më parë në qytetin e Beratit, ku dy efektivë policie janë përfshirë në një konflikt verbal që degjeneroi në kërcënim me armë zjarri.

Sipas burimeve lokale, ngjarja ndodhi pranë ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë, ku efektivi Muhamet Lana dyshohet se ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka kërcënuar kolegun e tij, Partizan Lumi, duke i thënë: “Të mbush barkun me plumba.”

Shkak i konfliktit mendohet të jetë transferimi i Partizan Lumit nga grupi operacional në Drejtorinë e Policisë Berat, në një detyrë të re si oficer patrulle në Komisariatin e Poliçanit. Ky ndryshim ka sjellë tensione, pasi sipas burimeve, Lana mik i ngushtë i zëvendësdrejtorit të Hetimit të Krimeve në Berat, Shkëlqim Xhezairaj ka përfituar nga kjo lëvizje për t’u afruar në strukturën operacionale.

Ngjarja është raportuar menjëherë në instancat përkatëse dhe pritet që Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave të nisë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për të marrë masa disiplinore apo penale, nëse faktohet kërcënimi me armë.