Një sherr i dhunshëm ka ndodhur mbrëmjen e të hënës në Tiranë, ku janë përfshirë dy biznesmenë. Raportohet se ngjarja ka ndodhur në zonën pranë kompleksit “Delijorgji”, ku Laert Kasaj, pronari i restorantit “Tokyo”, është dhunuar në mënyrë brutale nga disa persona.

Sipas burimeve policore, autorët e dyshuar të sulmit janë Ferhat Kaja dhe një person tjetër i afërm i tij, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia. Të dy dyshohet se janë pronarë të lokalit “Stockholm”, që ndodhet përballë kompleksit ku ndodhi ngjarja.

Konflikti mes palëve ka degjeneruar në përleshje fizike, me përdorim të dhunës dhe shkak dyshohet se është aksioni për lirimin e hapësirave publike, i nisur nga kryeministri Edi Rama.

Sipas dëshmitarëve, në momentin e sulmit një nga agresorët i është drejtuar Kasajt me fjalët: “Pse më ke denoncuar?”, ku dyshohet se e ka akuzuar se ka dërguar informacion te institucionet për zaptimin e hapësirës publike.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe është vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar. Kasaj është aktualisht nën kujdesin e mjekëve, ndërsa pritet që të merret në pyetje nga autoritetet sapo gjendja e tij të stabilizohet.