Tetë persona janë arrestuar nga Policia në Tiranë, pasi akuzohen se shfrytëzonin për të punuar dhe për të lypur fëmijët e tyre të mitur.

Sipas policisë për katër prej tyre, konkretisht shtetasit Eles Brahimaj, 41 vjeç, Rakip Sinani, 35 vjeç, Mikel Rama, 35 vjeç dhe Miklovan Gogaj, 34 vjeç, Prokuroria ka caktuar masën e sigurisë“Arrest në burg”.

Ndërsa, ndaj shtetasve me iniciale L. B., 35 vjeçe, A. M., 41 vjeçe, M. S., 35 vjeçe dhe A. Sh., 35 vjeçe, Prokurorisë së Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin fëmijët e tyre të moshës 9-11 vjeç për të punuar, kryesisht gjatë natës, si dhe për të lypur në zona të ndryshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.